“Koha për veprim”/ UEFA dyfishon shpërblimin për Europianin e femrave

Time For Action – Koha për veprim” quhet strategjia e UEFA-s për të zhvilluar futbollin e femrave dhe pikërisht në kuadër të këtij aksioni, është vendosur që të dyfishohet shpërblimi për skuadrat që do të marrin pjesë në Kampionatin Europian të verës së ardhshme.

I planifikuar për këtë verë, po i shtyrë për shkak të Europianit të meshkujve, Kampionati Europian i Futbollit për femra do të luhet korrikun e ardhshëm në Londër, ndërsa 16 skuadrat pjesëmarrëse do të mund të përfitojnë një shifër prej 16 milionë eurosh, nga 8 që ka qenë në Europianin paraardhës.

Gjithashtu UEFA ka vendosur të vërë në dispozicion edhe një buxhet prej 4.5 milionë eurosh, që do të shpërndahet për klubet, futbollistet e të cilave do të marrin pjesë në Kampionatin Europian të Futbollit për femra.

Më herët qeveria europiane e futbollit zbuloi se planifikon të shesë më tepër se 700 mijë bileta për këtë Europian, çka do ta bënte atë kompeticionin më të rëndësishëm të organizuar ndonjëherë në futbollin e femrave./ Supersport