Dita e tretë e bllokimit të kufirit të Jarinjës dhe Bërnjakut/ Serbët vijojnë protestën

Protestuesit serbë vijojnë të mbajnë të bllokuar për të tretën ditë pikën kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut.

Ata kundërshtojnë reciprocitetin e targave.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës qëndrojnë në gadishmëri, megjithëse situata paraqitet e qetë.

Ndërkohë, për të mundësuar lëvizjen e lirë, qytetarëve iu është kërkuar të shfrytëzojnë pikat e tjera doganore.

Nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë. Disa prej shtetasve kanë rënë dakord dhe kanë marrë targat provizore, ndërsa të tjerë janë të vendosur të vazhdojnë bllokadën në kufi.

Autoritetet në Beograd reaguan me zemërim ndaj kësaj situate që Aleksandar Vuçiç e cilësoi si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se asnjë lloj kërcënimi nga Serbia “nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të implementuar zbatimin e ligjit, në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”.