Adriatik Llalla do të vuajë 2 vite heqje lirie/ Gjykata e Posaçme e Apelit merr vendimin përfundimtar

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi sot që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla të vuajë 2 vite heqje lirie për fshehje pasurie.

Pas këtij vendimi, Llalla është ish-zyrtari më i lartë i Prokurorisë i dënuar në vendin tonë deri më tani.

Gjykata e Posaçme e Apelit  la në fuqi vendimin e datës 20 maj të Shkallës së Parë dhe rrëzoi të gjitha pretendimet e avokatit,  duke theksuar se janë të pabazuara. Po ashtu Llalla  nuk do të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Ndërkohë, pritet arrestimi i Llallës, por nuk dihet se ku ndodhet.

Avokati i Llallës tha se po ai kurohet në një spital duke mos përmendur nëse është në vendin tonë apo jashtë.

Avokati Sokol Hazizaj kërkoi sërish pafajësi për Llallën,  rigjykim të dosjes ose shpallje moskompetence.

Avokati i Llallës kërkoi pafajësi, rikthim për gjykim ose në rast dënimi, pezullim të dënimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të sëmundjes së parikuperueshme.

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ankimoi dënimin me 2 vite burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.

Duke iu bindur hetimit të SPAK, Gjykata urdhëroi kërkesën për konfiskim të gati 22 mijë metrave katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës dhe aprovoi si dënim shtesë edhe mohimin për të marrë funksione publike për pesë vite.

Mbrojtja e Llallës këmbënguli më herët se nuk kishte fshehur asgjë përveç shpenzimeve të Gjermanisë që ishin harruar të deklaroheshin nga gabimi njerëzor. Adriatik Llalla është ish-zyrtari më i lartë i gjyqësorit, që dënohet me heqje lirie në vendin tonë.