Sulmuesit të Bayernit të Mynihut, Robert Lewandowski, iu dorëzua këtë të martë “Këpuca e Artë” e Europës, trofeu prestigjioz individual, i fituar prej tij falë 41 golave të shënuar sezonin e kaluar në Bundesligë.
Edhe pse ka mbushur 33-vjeç, polaku këmbëngul se ka ende shumë për të dhënë në nivelet më të larta dhe se është i përkushtuar për të fituar trofe të tjerë me Bayernin.
“Nuk kam pse të provoj veten në një ligë tjetër. Në Ligën e Kampionëve mund të garoj me më të mirët e kampionateve të tjera. Jam 100 për qind i fokusuar te Bayerni, nuk mendoj për asgjë tjetër veç ekipit tim”.
“Poli”, siç thirret ndryshe Lewa, ka kontratë me kampionët dhe rekordmenët gjermane deri në vitin 2023, dhe ai nuk po mendon të heqë dorë nga futbolli.
“Mosha është thjesht çështje shifrash. Ndihem shumë mirë, kam vlerat më të mira që kam pasur ndonjëherë. E di se ende mund të luaj në nivelin më të lartë për vitet në vazhdim. Jam si vera e mirë dhe shpresoj të bëhem edhe mi mirë me kalimin e kohës”.
Statistikat e Lewandowskit nuk e shmangin dot krahasimin me dy të mëdhenjtë e futbollit, që janë ende në aktivitet, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
“Garën e kam gjithmonë me veten time. Ajo që bëjnë ata të dy është diçka që mund të mos përsëritet për një kohë të gjatë. Unë shoh atë që mund të bëj dhe jap. Duhet shumë punë dhe respekt.”/ Supersport