Kosovë, 7 viktima dhe 173 raste të reja me COVID

Gjatë 24 orëve të fundit 7 persona të infektuar me koronavirus kanë ndërruar jetë, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.912. Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 173 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 159.328.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 5.095 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.164.636 teste.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 1.434 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 148.781 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 7.635.

Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 17.643 doza të vaksinës ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.193.786 doza të vaksinës. Deri më sot 453.760 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.