Covid-19 ka vrarë po aq amerikanë sa edhe gripi i vitit 1918

Numri i personave që kanë vdekur nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara tashmë është i barabartë me numrin e amerikanëve që humbën jetën nga pandemia e gripit spanjoll të viteve 1918-1919, pra rreth 675,000.

Ashtu si fatkeqësia mbarëbotërore e një shekulli më parë, edhe koronavirusi nuk mund të zhduket kurrë plotësisht, sipas Zërit të Amerikës.

Shkencëtarët shpresojnë që koronavirusi do të shndërrohet në një grip të butë sezonal me forcimin e imunitetit të njeriut përmes vaksinimit dhe infeksioneve të përsëritura. Por kjo do të marrë kohë.

Tashmë pandemia vazhdon të ketë një ndikim të madh mbi Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës.

FILE - Jose Espinoza, 27, receives a vaccine against the coronavirus disease at a COVID-19 vaccination clinic in Los Angeles, California, Aug. 17, 2021.

Shtimi i infeksioneve të reja, i shkaktuar nga varianti delta mund të ketë arritur kulmin, por numri i vdekjeve vazhdon të jetë mesatarisht mbi 1,900 në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i marsit. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universitetit Johns Hopkins, deri të hënën në mëngjes numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në afër 674,000, por mendohet se numri real është më i lartë.

Sipas një modeli të njohur parashikimi, dimri mund të sjellë një rritje të re të rasteve, megjithëse do të jetë më pak vdekjeprurëse se vitin e kaluar. Modeli i Universitetit të Uashingtonit parashikon vdekjen e rreth 100,000 amerikanëve të tjerë nga COVID-19 deri më 1 janar, duke e çuar në 776 mijë numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara.

Pandemia e gripit spanjoll e viteve 1918-19 shkaktoi vdekjen e rreth 675,000 amerikanëve, kur Shtetet e Bashkuara kishin një popullsi tre herë më të vogël se sot. Rreth 50 milionë njerëz në nivel global vdiqën nga gripi spanjoll. Ndërsa, Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e 4.6 milionë njerëzve në nivel global.

Salla e Komunës së Oklandit u shndërrua në spital të përkohëshëm gjatë pandemisë së gripit në vitet 1918-19, siç shihet në këtë foto të arkivuar në Bibliotekën e Kongresit.

Shifrat e të vdekurve nga gripi spanjoll janë llogaritje të përafërta, duke patur parasysh regjistrimet jo të plota të epokës dhe njohuritë e pakëta shkencore mbi shkaqet e sëmundjes. Shifra 675,000 është raportuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Para COVID-19, gripi i vitit 1918-19 konsiderohej si pandemia më e rëndë në historinë e njerëzimit. Nuk është e qartë nëse pandemia aktuale në fund të do jetë më vdekjeprurëse.

Në shumë mënyra, gripi i viteve1918-1919, i cili u quajt gabimisht grip spanjoll, sepse në fillim u raportua gjerësisht për atë në mediat në Spanjë, ishte më i rëndë.

I përhapur nga lëvizjet e shumta të njerëzve gjatë Luftës së Parë Botërore, gripi shkaktoi vdekjen e një numri të madh të të rinjve pa probleme të tjera shëndetësore. Vaksinat nuk ekzistonin për ta ngadalësuar përhapjen e tij, dhe nuk kishte antibiotikë për të trajtuar infeksionet bakteriale dytësore. Dhe, natyrisht, popullsia e botës ishte shumë më e vogël se sa sot.

Megjithatë, udhëtimet me avion, migrimet masive dhe ritmi ende ulët i vaksinimit kërcënojnë të rrisin pasojat e pandemisë aktuale.