Lulzim Basha ‘i ka prerë krahët’ Sali Berishës dhe i ka shuar çdo shpresë ish-kryeministrit se mund të mbledhë Kuvendin Kombëtar për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar demokrat. Sot ai ia ka bërë të qartë, ‘babait të tij’ politik dhe kujtdo tjetër që mendon se me mbledhjen e këtij Kuvendi, do të ndryshohet vendimi i tij për rikthimin e Berishës në grupin e PD-së, e aq më tepër ndryshimi i lidershipit aktual të partisë, sipas Shqiptarja.com.
Nëse do të mblidhej Kuvendi Kombëtar, për Bashën do të fuste në konflikt PD me SHBA dhe kjo nuk është në dobi të demokratëve. Basha thirri sot Kryesinë e Grupit Parlamentar për të diskutuar mbi aksionin e opozitës në Kuvend, por ishte Flamur Noka ai i cili me tone të ashpra tha se çështja më kryesore që ka PD-ja për të zgjidhur është përjashtimi i Berishës.
Pikërisht nisur nga kjo, Lulzim Basha është detyruar edhe një herë të sqarojë deputet se vendimi i tij nuk ka kthim pas, duke u kujtuar se kërkesa për përjashtimin e Berishës nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët, por nga kupola e shtetit Amerikan. Madje ai flet edhe se është në dijeni të disa informacioneve që i di ai, Berisha dhe SHBA-ja dhe se nuk do ua tregojë kurrë asnjë prej deputetëve.“Kërkesa për doktorin nuk ka ardhur nga zyrtare të nivelit të trete apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për t’i marr vesh kurrë. Nuk ka dhe nuk do te kete grupim antiamerikan nën siglën e PD. Nuk do të kete Kuvend të PD qe ve ne diskutim vendimet e qeverise amerikane’”, ka thënë ndër të tjera Basha.
Noka këmbëngul se vendimi ishte një thikë pas shpine për demokratët e ndërsa thotë se kjo i dobëson përballë Ramës. Prandaj shikon si të vetmen zgjidhje te mbledhja e Kuvendit Kombëtarë. “Ne të bashkuar dhe nuk e mundëm dot Ramën, si do ia bëjmë tani që ke përçarë anëtarësinë. Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për demokratët. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Vetëm vendimi i anëtarësisë mban PD-në të bashkuar”, tha Noka.
Mirëpo, pavarësisht zërave kundër që i kanë dalë, Basha është kujdesur që të theksojë e Berisha nuk është përjashtuar përfundimtar nga grupi i PD-së, por deri sa të zbardhet çështja në rrugë ligjore.