Duke filluar nga data 1 tetor, për vitin akademik 2021-2022 e në vazhdim, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë falas.
Kjo vlen jo vetëm për studentët vendas, por edhe për studentët e huaj që dëshirojnë të studiojnë në Kosovë.
Studentët e nivelit bachelor dhe master nuk do të paguajnë tarifë për të kryer studimet e tyre. Vendimi, i nënshkruar nga ministrja e arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, u bë publik nga kryeministri Albin Kurti dhe vetë ministrja.
“Ne besojmë se në këtë formë do të nxisim interesim për studimet e larta, duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë“, u shpreh Albin Kurti.
Ai theksoi se nga vendimi përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë, përfshirë dhe studentë nga vende të rajonit.