Strakosha “djeg” Lazion, Uzuni nuk lë gjurmë, Betis “përmbys” Celtic-un

Thomas Strakosha rikthehet titullar te Lazio, megjithatë këtë herë jo vetëm që nuk ia del të mbrojë portë, por shkakton edhe një autogol në kufijtë e qesharakes, duke ndëshkuar bardhekaltrit në transfertën turke ndaj Galatasaray-t.

Në takimin e parë të fazës së grupeve të Europa Leagues, ishin turqit që festuan, pasi në minutën e 67’, në tentativë për të larguar një top mbi traversën e portës, nuk llogariti mirë pozicionin dhe e dërgoi sferën në rrjetën e portës së tij.

Titullar në këtë takim ishte edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, ndërsa në pjesën e dytë zbriti në fushë edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili nuk ia doli të lërë gjurmë.

Nuk pati fitues në sfidën tjetër të këtij grupi, atë mes Lokomotivës së Moskës dhe Marseille. Under kaloi francezët në avantazh në fillim të pjesës së dytë, por vendasit rikthyen baraspeshën me Kerk, ndonëse me një lojtar më pak në fushë dhe morën një pikë me mjaft vlera.

Në grupin G, Bayer Leverkusen e nisi mbarë, duke triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj Ferencvarosit. Hungarezët e nisën ndeshjen me Myrto Uzunin në stol dhe kaluan të parët në avantazh me anë të sulmuesit Mmaee, por gjermanët përmbysën gjithçka me golat e Palacios dhe Wirtz, duke marrë tre pikët.

Sfida tjetër e këtij grupi ishte ajo mes Betis dhe Celtic, që prodhoi plot 7 gola dhe rezultoi të ishte nga përballjet më spektakolare të mbrëmjes. Skocezët e nisën mirë, falë një forme të shkëlqyer të Albian Ajetit, që shënoi golin e parë dhe fitoi penalltinë që prodhoi golin e dytë, duke kaluar në avantazh të dyfishtë.

Megjithatë andaluzianët shënuan dy herë deri në fund të pjesës së parë dhe rikthyen baraspeshën, ndërsa më pas gjetën rrjetën edhe dy herë të tjera në fillim të pjesës së dytë dhe vulosën suksesin.

Në grupin H, West Ham e nisi me një fitore 0-2 në Kroaci përballë Dinamos së Zagrebit, pasi shfrytëzoi dy gabime të mbrojtësve vendas dhe shënoi me anë të sulmuesit Antonio dhe kapitenit Declan Rice.

Në sfidat e tjera, Genk triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në transfertën austriake ndaj Rapidit të Vjenës, serbët e Crvena Zvezdës mposhtën Bragën me shifrat 2-1 dhe Midtjylland e Ludogorets u ndanë në barazim 1-1./ SuperSport