1 qershori i vitit të ardhshëm është afati përfundimtar për gjetjen e materialeve alternative dhe eliminimin përfundimtar të qeseve plastike, tha sot kryeministri i vendit, Edi Rama.
Në prezantimin e projektit të ri qeverisës, Rama u shpreh i bindur se në tregjet shqiptare nuk do të përdoren më qese plastike, të cilat janë ndër shkaqet kryesore të ndotjes së lumenjve dhe natyrës së vendit.
“1 qershori dita e çlirimit nga qeset plastike”, tha Rama.
Sipas tij, do të monitorohet me kujdes pushteti lokal, ku prioritetet do të jetë pastërtia:
“Është pastërtia e pastaj të tjerat. Bashkitë që nuk menaxhojnë si duhet plehrat, nuk do të përfitojnë asnjë lloj granti.
Plehrat e ndërtimet pa leje janë një nëpërkëmbje e patolerueshme e fatit të turizmit. Nuk do të ketë më asnjë tolerim“.