Një shtetas italian u kap në pikën kufitare të Kakavijës, me një makinë të deklaruar të vjedhur.
Sipas policisë, 36-vjeçari me iniciale M.S. lindur në Itali e banues në Spanjë, e kishte grabitur mjetin tip “Citroen”, për ta shitur.
Makina u sekuestrua, ndërsa ndaj të dyshuarit ka nisur hetimi për “Trafikim i mjeteve motorike”.
Njoftimi i policisë:
Në datën 14.09.2021, pas marrjes së informacionit nga Zyra Kombëtare e Interpol Tirana për automjetin e trafikuar tip “Citroen”, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije e kanë konstatuar automjetin.
Për kryerjen e procedurave të mëtejshme janë njoftuar specialistët e seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, të cilët bënë ndalimin e drejtuesit të automjetit, shtetasi M. S., 36 vjeç, lindur në Itali(banues në Spanjë), pasi dyshohet se ky shtetas do ta shiste këtë automjet, ndërkohë që nuk është pronari i automjetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.
Materialet në ngarkim të shtetasit M. S. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.