Vrau ish-gruan 23-vjeçare në Zhupan të Fierit/ Gjykata lë në burg autorin

Gjykata e Fierit vendosi ta lejë në burg Elton Metajn, autorin e vrasjes së ish bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengaj.

Sipas avokatit Dritan Dema, 31 vjeçari ka pranuar krimin duke pretenduar se ka qenë i rënduar nga gjendja psikologjike.

Elton Metaj gjatë deklaratës së tij përpara trupit gjykues ka thënë se para se të kryente krimin, ish- vjehrri i bënte presion.

Metaj qëlloi me 7 plumba 23-vjeçaren dhe goditjen fatale ia dha plumbi i marrë në mushkëri duke i shkaktuar vdekjen në banesën e prindërve të saj teksa po hante bukë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 10 shtatorit rreth orës 22:50, në fshatin Zhupan, teksa Elton Metaj kishte shkuar në banesën e prindërve të saj.

Autori i krimit, Elton Metaj njihej si një person problematik, pasi më parë ka marrë peng familjarët e viktimës. Është dashur ndërhyrja e policisë që të liroheshin personat e marrë peng. Ndërkohë po një vit më parë ai u gjykua për 3 akuza: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe pengmarrje.

Familjarët për mediat kanë akuzuar gjyqtarët që e lanë të lirë autorin.

Gjykata me një vendim të gjyqtarit Piro Sota kishte vendosur më 1 mars 2021 caktimin si masë mjekësore ndaj Elton Metaj Bengaj, atë të ‘mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor’, bazuar mbi një ekspertizë nga mjekë të Institutit Ligjor, duke e liruar kështu vrasësin e 23-vjeçares.

Bashkim Metaj, babai i autorit tha se edhe pse të ndarë prej një viti, dyshja mbanin kontakte edhe pas daljes së djalit të tij nga burgu.