5 gola në Laç ndaj një rivali që bëri më mirë se çdo skuadër tjetër shqiptare në Kupat e Europës, janë një sinjal se Vllaznia e këtij sezoni mund të bëjë gjëra të mëdha, madje mund të reduktojë edhe ato pak gabime që bëri edicionin e kaluar për të festuar në fund titullin kampion që është edhe objektivi kryesor i shkodranëve.
Edhe pse në skuadër janë bërë shumë ndryshime krahasuar me një vit më parë ku emra si Isaevski, Eni Imami, Dajan Shehi, Herald Marku, Demir Imeri apo edhe Haris Dilaver janë larguar, boshti i grupit është ruajtur dhe është forcuar me të tjerë emra cilësorë si Liridon Latifi, Esin Hakaj, Elvedin Heric, Ante Aralica, Diagne, braziliani Kaina apo edhe maqedonasit Bulatovic dhe Djurdjevic, për më tepër që në timonin e skuadrës vazhdojnë të jenë Thomas Brdaric dhe Elvis Plori që qëndron pas tij, ky është një tjetër tregues që i mbush me besim drejtuesit e Vllaznisë për të zhvilluar një sezon edhe më pozitiv se ai i kaluari.
Privatizmi i klubit me marrjen e drejtimit me të drejta të plota nga sponsori i sezonit të shkuar Alban Xhaferi është një tjetër faktor pozitiv për këtë Vllazni që në Laç tregoi grintë, dëshirë por edhe cilësi, duke marrë një fitore të çmuar me 5 gola në një fushë që në shumë raste ka vendosur fatet e titullit kampion. Për të fituar kampionatin duhet patjetër të mundësh Laçin dhe nëse realizon këtë brenda në Kurbin është një bonus akoma më i madh. Është ende herët për të përmendur fjalën titull pasi është luajtur vetëm java e parë e kampionatit, por me atë çfarë treguan kuqeblutë në fushë ndaj Laçit, kjo Vllazni ka shanse të mira për të synuar maksimumin në këtë sezon.
Prurjet e reja treguan menjëherë se mund të jenë një vlerë e shtuar për Vllazninë, duke nisur që nga Liridon Latifi një njeri që e di sesi fitohet titulli në Abissnet Superiore për të vazhduar me kroatin Aralica apo edhe brazilianin Kaina. Të shënosh 5 gola në transfertë në një kampionat si ky i yni ku diferencat mes skuadrave janë fare të vogla, është një tjetër tregues se Vllaznia është një nga prentendetet kryesore për titull në këtë sezon, edhe pse diçka më shumë do të kuptohet në dy ndeshjet e radhës me shkodranët që do të sfidojnë dy skuadrat e tjera përveç Laçit me të cilat diskutuan titullin kampion sezonin e shkuar, kampionët e Teutës të cilët i presin këtë fundjavë në Loro Boriçi dhe Partizanin, ndeshje që do të luajnë në transfertë.