Askush nuk ka bërë për këtë rajon, pas kapërcimit të luftës, më shumë sesa Kancelarja gjermane, u shpreh kryeministri i vendit gjatë konferencën së përbashkët me kancelaren Angela Merkel.
Në Tiranë, mbërritën sot dhe liderët e Ballkanit Perëndimor. “Ishte privilegj që Kancelarja të ishte në Tiranë, në pamundësi për të vizituar të gjithë vendet dhe këtu të kishim edhe takimet bilaterale, edhe takimet me të gjithë liderët e rajonit tonë“, u shpreh kryeministri shqiptar.
“Me Kancelaren është gjithmonë një problem, sepse nuk i ka qejf fjalimet me shumë fjalë të bukura, por njëkohësisht është shumë e sinqertë edhe shprehja e fjalëve më të mira lidhur me çka ajo bëri, duke iniciuar Procesin e Berlinit, një Proces, i cili është një vizion largpamës, jo thjeshtë për të kaluar një fazë disavjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku. E përtej të gjitha rezultateve konkrete, në aspektin e fushave që mbulon Procesi i Berlinit, besoj që arritja më e madhe e këtij Procesi është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të së ardhmes së përbashkët.
Sot, Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë, seç ishte përpara sesa Angela Merkel të niste Procesin e Berlinit. Patjetër që, pavarësisht se do të ketë vazhdimësi në politikën gjermane, cilido qoftë fituesi, Angela Merkel do t’i mungojë këtij rajoni“, tha Rama.
Në fund të deklaratës, Rama ftoi kancelaren të vizitojë Ballkanin pasi të lërë detyrën e të ketë kohë të lirë, “që puna d këtyre viteve të shpërblehet me diellin, me detin, natyrën dhe humorin e Ballkanit, që të paktën në këtë fushë është shumë përpara Bashkimit Europian”, siç tha kryeministri.