Takimi me Vuçiç, Merkel: Ballkani ka rrugë të gjatë drejt BE-së

Merkel i bëri këto komente në Beograd, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Paraprakisht, Merkel zhvilloi një takim me Vuçiqin, ku u diskutua për bashkëpunimin politik dhe ekonomik të dy vendeve, si dhe për procesin e integrimit në BE.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni më tej drejt sundimit të ligjit, drejt shoqërisë plurale”, tha Merkel.

Ajo shtoi se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kur bëhet fjalë për Serbinë, është një çështje që do të zgjidhet “në fund të një procesi”.

“Disa çështje do të zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë se disa vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Çështja duhet të zgjidhet. Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para se të zgjidhen gjërat e tjera dhe pastaj i gjithë procesi”, tha Merkel.

Vuçiq: Jemi të vetëdijshëm se Kosova është kusht për integrimin evropian të Serbisë

Vuçiq tha se zyrtarët në Serbi e dinë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Unë nuk do t’i mohoj njohuritë tona për kushtet e anëtarësimit në BE. Siç dëgjoni nga Prishtina se ata kanë Kushtetutën e tyre, ashtu e kemi edhe ne Kushtetutën tonë, të cilës i përmbahemi. Ne jemi gati për kompromis, për një zgjidhje kompromisi. Nëse pyetemi se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi vend anëtar i BE-së përpara zgjidhjes së çështjes, jemi të vetëdijshëm”, tha Vuçiq.

Ai përsëriti se nuk është për konflikt të ngrirë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës dhe shtoi se është i hapur për dialog dhe zgjidhje kompromisi.

“…por duhet të jetë një kompromis, jo shkatërrues për Serbinë”, tha Vuçiq.

Të martën, Merkel do të qëndrojë në Tiranë, ku pritet të takojë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës.

Zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha se “përveç bisedimeve dypalëshe, bashkëpunimi rajonal do të jetë një temë e rëndësishme” e udhëtimit dyditor të Merkelit.

Pas 16 vjetësh në pushtet, Merkel do të largohet nga pozita e kancelares në fund të mandatit të saj të katërt, përkatësisht pas zgjedhjeve të 26 shtatorit në Gjermani.

Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan, që do të mbahet në tetor.

Vuçiq e cilësoi vizitën e Merkelit si “një nder të madh për Serbinë dhe një shans për ta falënderuar atë për gjithçka që ka bërë për Serbinë dhe rajonin” gjatë mandatit të saj.

Lansimi i të ashtuquajturit Proces i Berlinit nga Merkeli “krijoi një atmosferë ndryshe dhe mundësi të reja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë rajonin më paqësor dhe më të qëndrueshëm”, tha Vuçiq.

Procesi i Berlinit u shpall në vitin 2014, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin evropian.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit në BE.

Mali i Zi dhe Serbia kanë përparuar më së shumti, pasi kanë hapur negociatat dhe kapitujt e pranimit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes zyrtare të bisedimeve të pranimit, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë vende potenciale kandidate./ REL.