Kreu historik i PD-së, Sali Berisha është shprehur për Syri Tv se do të nisë aksionin që nesër duke takuar simpatizantët demokratë.
“Kam filluar takimet me anëtarët, foltoret me simpatizantët e partisë Demokratike. Dhe do vijoj kështu. Sepse me ketë vendim…..hoqi njerëz që kishin një jetë të tërë në Partinë Demokratike që në vitin 2017. Ishte pushkatim politik dhe ua kam thënë dhe atyre, edhe Astrit Patozin e kam thirrur në zyrë. Pse e bëri? Për veten e tij e bëri, vendim personal”, tha Berisha.
Ai është shprehur se ndjen keqardhje për dhimbjen e krijuar në anëtarësinë e PD-së, duke theksuar se shumica e anëtarësisë nuk e besonte si lider Lulzim Bashën.
“Ndjej shumë keqardhje për dhimbjen e krijuar në anëtarësinë e PD, që nuk e ka imagjinuar ndonjëherë. Shumica e anëtarësisë nuk e besonte si lider Lulzim Bashën. Nuk janë vetëm sondazhet, por ndjenjat. Por përsëri, unë dy gjëra kam bërë në fushatë dhe tani njerëzit mund të më qortojnë. Kam bërë luftë me mediat që e zhvlerësonin në masë ekstreme. Jam përpjekur të rreshtoj meritat e tij, tjetër punë që ai kaloi në supervlerësim për veten e tij. Media dhe kundërshtari e zhvlerësonte tërësisht dhe unë nuk pajtohesha me këtë. Problemi është se media i vinte kryq dhe unë e vlerësoja, por këtë e bëja jo për personin e tij, por për demokratët. Doja që të mos e asgjësonin atë. U kam thënë grupit të këshilltarëve se ai është ‘broken leader’, një lider i thyer dhe se duhet bërë gjithçka për ta ngjitur. Nëse ai nuk ngjitet, atëherë duhet të kaloni në platformën tjetër, të Fransua Miteran “unë jam zotëria normal”. Duke thënë se ai është normal dhe të gjenden rrugë me çdo mënyrë për të rritur partinë”, tha Berisha.