Një sasi medikamentesh kontrabandë dhe 10.500 euro të padeklaruara u kapën sot në një kamion në portin e Durrësit.
Për rrjedhojë, ka nisur hetimi ndaj 53-vjeçarit me iniciale A.M., që drejtonte kamionin.
Ai do të hetohet nga Prokuroria e Durrësit, për “Kontrabandë me mallrat e licensuar” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK, Port Durrës, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi A. M.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, në kabinën e kamionit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës si dhe 10.500 euro të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, u procedua penalisht për veprat penale “Kontrabandë me mallrat e licensuar” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”, shtetasi A. M., 53 vjeç, banues në Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.