Egnatia e përuron me humbje stadiumin e ri të qytetit të Rrogozhinës.
Në premierën e kampionatit, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani, u dorëzua 1-3 ndaj Kukësit, duke mos përmbushur pritshmëritë e tifozëve vendës, të cilët kanë pritur plot 16 vite për ta parë sërish në elitë.
Pas një nisjeje të qetë të lojës ekuilibrat në rezultat u prishën në minutën e 22-të, kur Daci i verilindorëve shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dhe portierit duke dërguar topin në rrjetë.
Të njëjtit futbollist iu dha mundësia për të shënuar golin e dytë në minutën e 37-të, por shumë pranë portës goditi mbi tra.
Përvoja e Kukësi u reflektua me realizimin e golit të dytë nga Peposhi pak para përfundimit të pjesës së parë, me një aksion model me pasime të shumta dhe të sakta.
Edhe gjatë pjesës së dytë Kukësi e diktoi lojën dhe bëri futboll cilësor, madje goditi shtyllën me Taipin. Mirëpo golin e radhës e shënuan vendësit me autor Bruno Telushin, që goditi fort dhe saktë nga distanca, duke lënë në tension deri në fund Kukësin.
Gjithsesi në fund Kukësi shënoi edhe një gol në minutën e katërt shtesë me Luka Milunovic, për ta nisur kampionatin me këmbën e mbarë. Nga ana tjetër Egnatia duhet të rregullojë shumë gjera në lojë, sidomos në fazën mbrojtëse./ Supersport