Dinamo dëfren ndaj Kastriotit, Chinedu shkëlqen me dygolësh

Dinamo debuton me fitore në Abissnet Superiore, nëntë vite pas herës së fundit që kishte luajtur në elitë. 18-herë kampionët e Shqipërisë u shfaqën në lartësinë e emrit që përfaqësojnë përballë Kastriotit në Kamëz, duke fituar 0-2.

Përtej shifrave të këtij suksesi, skuadra e Bledi Shkëmbit dëfreu me lojën e saj, duke e dominuar në çdo aspekt kundërshtarin.

Bluve u mjaftuan me pak se 40 sekonda lojë për të zhbllokuar rezultatin. Në vijim të një aksioni të gjatë, Gavazaj harkoi saktë në zonë për Chinedu, që me kokë nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. E kuptueshme festa e shfrenuar e kryeqytetasve, që ndoshta nuk e kishin menduar realizimin e një goli kaq të shpejtë.

Kastrioti iu afrua barazimit në të 12-tën me Grgic, gjuajtja e të cilit me kokë shkoi mbi tra.

Momente tensioni pak çaste më vonë, pas një përplasjeje mes Imamit dhe Ajazit, futbollisti dinamovit Imami ndëshkohet me karton të verdhë.

Në të 19-tën erdhi goli i dytë i Dinamos, pas një kombinimi mes Ibraimit dhe Chinedu. Edhe në këtë rast i jashtëzakonshëm ish-sulmuesit e Hajdukut, që e kalon topin me parabolë mbi portierin Sali.

Në këtë rast u desh konfirmimi nga sistemi VAR për të konfirmuar golin, pasi anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.

Agim Ibraimi provoi me një goditje nga distanca në të 32-tën, që shkoi ngjitur në shtyllën, ndërsa pak çaste më vonë Mihana shpërdori një mundësi për golin e 0-3, pas asistit të marrë nga numri 10.

Dominimi i Dinamos vijoi edhe në pjesën e dytë, madje në minutën e 60-të Chinedu humbi një gol të sigurt thuajse mbi vijën fatale, i shërbyer nga Isaevski.

Përpjekjet e Kastriotit, përtej dëshirës së krutanëve për të kthyer rrjedhën e ndeshjes, nuk kishin rrezikshmëri (76’) të lartë. Për t’u veçuar rasti i Grecës (78’), që bëri thuajse gjithçka në mënyrë perfekte, perveçse finalizimin.

I pafat i njëjti futbollist i Kastriotit ën minutën e 84-t, teksa goditja e tij nga jashtë zonës u përplas në shtyllë, më pas në trupin e Harizajt e përfundoi jashtë. Dinamo lëshoi shumë terren në minutat e fundit, por as e djathta e Çelës (87’) nuk shkoi në portë.

Mbyllet me fitoren e pastër të Dinamos kjo përballje, që e konfirmon punën e mirë të kryer në merkato dhe gjatë fazës përgatitore te “nëndetësja blu”./ Supersport