Partinë Demokratike do ta ngremë në piedestalin që meriton, u shpreh ish-lideri demokrat Sali Berisha gjatë ceremonisë përkujtimore të Azem Hajdarit.
Sipas Berishës, nuk ka forcë që t’i mposhtë demokratët të cilët do ngrihen dhe do ecin më të sigurt se kurrë për të përmbysur regjimin e drogës, krimit, vjedhjeve dhe regjimin e pazareve.
Para bustit të Azem Hajdarit, në 23 vjetorin e vrasjes së tij, deputeti thotë se partinë që ngriti udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit me shokët e tij, nuk ka forcë që ta mposhtë.
“Një poshtërim i padëgjuar dhe i paparë ndonjëherë në historinë e PD ka ndodhur dhe jam i sigurt se anëtarët, mbështetësit, drejtuesit e të gjitha niveleve të PD do të dinë të hedhin në koshin e plehrave vendimin antistatutor, antiligjor, antidemokratik që atij që sot është në krye të PD por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, interesin e tij personal.
Merreni këtë prani sot, si një zotim para tribunit tonë legjendar, që PD-në do ta ngremë në piedestalin që ajo meriton, që e ngriti ai me shokët e vet, me bashkëluftëtarët e vet, që demokratët dhe demokratet nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë“.
Fjalimi vjen 3 ditë pasi kryetari i së djathtës, Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga përfaqësia e partisë, me arsyetimin se “po hetohet nga SHBA, pas shpalljes ‘non grata'”.