Fatin tragjik të Sabrina Bengajt, e kanë pasur edhe pesë gra të tjera përgjatë tetë muajve të parë të vitit 2021. Dhuna, problemet ekonomike dhe vrasjet për nderë kanë tronditur vendin nga veriu në jug edhe në pesë raste të tjera kur burrat kanë ekzekutuar gratë e tyre. Sërish, organet e drejtësisë dështuan të mbrojnë familjen, sipas Shqiptarja.com.
17 mars – vritet Irvana Hyka në Fier
10 prill – vritet Fëllënxa Shirja në Kavajë
Burri i vuri flakën bashkëshortes së tij për së gjalli në makinë në fshatin Manskuri të Kavajës. Ngjarja horror ndodhi të shtunën e 10 prillit, kur Fëllënza Shirja, 45 vjeçe, u gjet e shkrumbuar në makinë. Pak metra më tutje, i vetëvarur në një pemë u gjet bashkëshorti i saj, Bilbil Shirja, 48 vjeç, i cili pasi i vuri flakën bashkëshortes, u vetëflijua. Viktimat ishin prindër të dy fëmijëve, një vajze dhe një djali. Shkak i krimit horror është bërë xhelozia. Çifti ishte në prag ndarjeje prej më se 2 muaj ato ditë do të mbahej seanca përfundimtare për divorcin.
6 maj – vritet Luljeta Buzo në Elbasan
54-vjeçarja Luljeta Buzo, sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit në Gjykatën e Elbasanit, kur bashkëshorti Koço Buzo, që po e priste jashtë, është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine. Sapo ka ndodhur ngjarja autori është neutralizuar nga personat në rrugë dhe policia duke e arrestuar. Pas krimit 58-vjeçari ka thënë se gruaja donte që të ndahej prej tij dhe këtu kishte nisur zanafilla e konfliktit. Buzo ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për dhunën që bashkëshorti i kishte ushtruar, por kjo nuk e ndaloi agresorin për ta ekzekutuar gruan para gjykatës.
7 qershor – vritet Menderie Bici në Librazhd
Menderie Bici, 53 vjeçe, u ekzekutua me sëpatë nga bashkëshorti i saj 56-vjeçar, Qemal Bici. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 7 qershor në Dragustrinjë të Librazhdit. Bici, pasi ekzekutoi në mënyrë horror të shoqen, vari edhe veten. Çifti patën një sherr, ku situata agravoi, ndërsa burri mori më pas sëpatën dhe qëlloi gruan e tij në dhomën e gjumit pas koke duke e lënë të vdekur në vend. Qemal Bici ka qenë person problematik, i alkoolizuar dhe shpenzonte shumë paratë. Më herët bashkëshortja e kishte kallëzuar në polici për dhunë.
5 korrik – vritet Klarita Ismalaja në Fushë-Krujë
Artan Ismalaja goditi me thikë gruan e tij, Klarita Ismalaja, në makinë në Fushë Krujë në datën 5 korrik. Si pasojë e plagëve të marra në qafë, e reja vdiq si pasojë e hemorragjisë. Pas vrasjes së bashkëshortes, Artani ka tentuar të vrasë edhe veten, por u nis drejt Spitalit të Traumës dhe kaloi rrezikun për jetën. Çifti kishte dy djem, më i madhi është 23-vjeç dhe jetonin prej vitesh në Tiranë. 51-vjeçari, Artan Ismalaja është kameraman dhe kishte një biznesi pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet. Konflikti mes tyre kishte nisur pasi çifti do të shiste shtëpinë e prindërve të viktimës, pasi familja e vajzës do të transferohej në Tiranë.