U infektua me Covid 19, humb jetën 18-vjeçarja shtatzënë në Maqedoninë e Veriut

Një vajzë shtatzënë ka ndërruar jetë në Maqedoninë e Veriut, pas infektimit me Covid 19.

18-vjeçarja nga Gjevgjelia ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, ndërsa bëhet e ditur se ka pasur sëmundje të rëndë të zemrës dhe sindromë të rrallë gjenetike.

Drejtori i spitalit në Gjevgjeli, Dimitar Krgjev, tha se e gjithë familja e saj ka qenë pozitiv me Covid, ndërsa vajza është hospitalizuar në gjendje të rëndë.

“Duke pasur parasysh se ka pasur komorbiditete përkatësisht sëmundje të rëndë të zemrës dhe sindrom të rrallë gjenetik, vendosëm ta dërgojmë në klinikat në Shkup, ku pas disa ditëve shërim ka ndërruar jetë”, tha Krgjev, sipas Alsat.

Maqedonia e Veriut një ditë më parë regjistroi 256 raste të reja, nga 2,778 testimet e bëra për Covid-19, 31 pacientë  humbën jetën me korona virus, ndërsa 545 të tjerë janë shëruar.