Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur i vendosur se në seli mund të hyjë kur të dojë edhe pse kreu i PD-së, Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar.
Ai thekson se përjashtimi i tij ka ardhur si pasojë e kompromisit Rama-Basha, por e kundërshton duke deklaruar qartë se vijon të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD.”Do marr çdo nisëm brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Si të shihni, unë jam anëtar i grupit parlamentar PD. Vendimi, kompromisi Rama-Basha është nul, s’ka mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale në pazaret mbrapa shpine ndaj një force politike. Në çdo kohë mund të hyj në selinë e PD dhe të jeni të sigurtë që do jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, të gjithë vendosmërinë, legjitimitetin, për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës dhe pazareve të fëlliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë opozitë”, tha Berisha.
Ai gjithashtu u prit nga simpatizantë të shumtë të cilët kanë fyer Bashën dhe mbështetur liderin historik të PD-së.