Berisha përjashtohet nga grupi parlamentar i PD-së/ SHBA: Vendimi i Bashës meriton respekt!

Vendimi i Lulzim Bashës për të larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-ë, meriton respekton, sipas SHBA-së.

Përmes një reagimi, ambasada amerikane shkruan se Partia Demokratike ka kurajën që të ndahet nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen.

Duke shprehur mbështetje ndaj PD-së, Amerika pret bashkëpunim të ngushtë me opozitën për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

Vendim i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, shkruan ambasada.

Kreu i Partisë Demokratike, me anë të një deklarate një ditë më parë vendosi të largojë nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, derisa të dalë në dritë e vërteta, e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Për Departamentin Amerikan të Shtetit, Berisha është “non grata” dhe i ndalohet hyrja në SHBA, bashkë me familjen.

Vendimin e papritur të Bashës, e kanë kundërshtuar disa deputetët brenda partisë.

Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Bujar Leskaj u shprehën hapur kundër Bashës

Ish-kryeministri Sali Berisha në reagimin e tij tha se me këtë vendim kryedemokrati ka shkelur çdo nen të statutit të PD-së.