Rihapet portali i Maturës Shtetërore, nxënësit mund të plotësojnë formularin A1/A1Z deri në 13 shtator

Portali i Maturës Shtetërore online u hap sot e do të qëndrojë i hapur deri në 13 shtator për aplikime, për të gjithë kandidatët që nuk kanë aplikuar me formularin A1Z në Portalin e Maturës Shtetërore 2021.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi shkruan se “pas kërkesave të shumta të të rinjve që kanë përfunduar maturën dhe ende nuk kanë plotësuar formularët A1/A1Z, i ftoj të shfrytëzojnë mundësinë për të kryer këtë aplikim në datat 8-13 shtator 2021“.

Plotësimi online i Formularit A1Z do të kryhet në shkollat ku maturantët apo kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.

Ky aplikim është vetëm për kandidatët që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e maturës shtetërore dhe plotësojnë formularin vetëm për aplikim në institucionet e arsimit te lartë.