Projektligji për bregdetin/ Ndalohet çdo ndërtim, lejohen vetëm investimet strategjike! Skaner objekteve aktuale, Agjencia që do marrë në dorë vijën e detit me super kompetenca

Pastrimi nga ndërtimet abuzive dhe mbrojtja e vijës bregdetare është një nga objektivat kryesorë të qeverisë ‘Rama III’. Disa ditë më parë, kryeministri Rama, në funksion të këtij objektivi, paralajmëroi miratimin e një ligji të ri për vijën bregdetare.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur prej disa muajsh një proces konsultimi për draftin për mbrojtjen dhe menaxhimin e vijës bregdetare. Draft, i cili mund të pësojë ndryshime deri kur të paraqitet nga qeveria në Kuvend, parashikon mbrojtjen dhe përdorimin racional të zonës bregdetare, zhvillimin e qëndrueshëm të saj si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit në zonën bregdetare.

Nisma ligjore parashikon ndalimin përfundimtar të dhënies së lejeve të ndërtimit në bregun e detit. Në vijën bregdetare do të lejohen vetëm ndërtimet në kuadër të investimeve strategjike, ndërtimet për infrastrukturë publike si dhe zbatimi i kontratave koncesionare. Ndërtimet aktuale brenda perimetrit të begut të detit do të verifikohen në mënyrë të hollësishme nga pikëpamja ligjore. Në skaner do të kalojnë të gjitha kontratat me subjekte private për shfrytëzimin e hapësirave në bregun e detit. Kontratat abuzive do të ndërpriten, ndërsa kontratat e rregullta do të zbatohen deri në përfundim të afatit.

 

Drafti që pritet të kthehet në ligj synon kalimin gradual të bregdetit në pronësi të shtetit, për të ndaluar dhe riparuar kaosin me ndërtime në vijën bregdetare. Një nen i veçantë parashikon se në rastet e shitjes së pronës private në bregun e detit, shteti ka të drejtën e parablerjes, sipas kritereve që do të përcaktohen me një vendim të veçantë të qeverisë. Me hyrjen në fuqi të ligjit, askush nuk mund t’i shesë pronën në bregun e detit dikujt tjetër, pasi shteti shqiptar ka të drejtën e parablerjes.

Për zbatimin e këtij ligji, për pastrim, mbrojtjen dhe zhvillimin e vijës bregdetare, ngarkohen disa institucione që janë: ministria për turizmin, Komiteti i Menaxhimit të Bregut të Detit, i cili përbëhet nga përfaqësues të disa ministrive, Agjencia Kombëtare e Bregdetit si dhe bashkitë bregdetare. Drafti projekton Agjencinë Kombëtare e Bregdetit si organin kryesor për mbrojtjen, zhvillimin dhe menaxhimin e zonës bregdetare.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit harton planin për menaxhimin e bregut të detit dhe jep mendim për lejet zhvillimore. Bashkëpunon me investitorë dhe i fton që të përfshihen në projekte zhvillimore në bregun e detit. Agjencia mirëmban dhe pastron  bregun e detit, duke lidhur kontrata me kompani të ndryshme, pa iu nënshtruar ligjit për tenderat. Jep me qira sipërfaqe të caktuara të bregut të detit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme si dhe miraton kryerjen e aktiviteteve.

Agjencia gjithashtu administron pasuritë e paluajtshme shtetërore në bregun e detit, krijon regjistrin elektronik të pasurive si dhe sinjalizon organet shtetërore për çdo shkelje. Agjencia harton rregullore për administrimin e zonës bregdetare, vendos kriteret për dhënien në përdorim të plazheve etj. Agjencinë do të jetë në varësi të Ministrisë së Turizmit, por super kompetencat e saj e bëjnë edhe më të rëndësishme se sa vetë ministria.

Kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

-AKB-ja realizon mbrojtjen dhe menaxhimin e zonës bregdetare, promovimin dhe monitorimin e projekteve në këtë zonë, ndjekjen e zhvillimit të zonës bregdetare e të planeve të miratuara nga autoritetet e planifikimit;

-Zbaton dhe merr pjesë  në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre;

-Bashkërendon programet e lidhura me zonën bregdetare dhe nxit investimet në zonën bregdetare;

-Kontribuon në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;

-Bashkëpunon me organet përkatëse sipas përcaktimeve të këtij ligji, për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimit të tyre;

-Bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë vendas dhe të huaj si dhe i fton për pjesëmarrje dhe përfshirje në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;

-Monitoron zbatimin e dokumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare;

-Monitoron respektimin e rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare;

-Harton rregulloren e posaçme për administrimin e hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private dhe i’a propozon për miratim Këshillit të Ministrave;

-Monitoron respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërore dhe private, si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit;

-Harton rregulloren për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive/aktiviteteve sportive, argëtuese, turistike dhe kulturore të cilat zhvillohen në zonën bregdetare. dhe ia propozon për miratim ministrit përgjegjës;

-Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare;

-Lajmëron organet shtetërore kompetente për rastet e konstatimit të shkeljeve administrative, veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, dhe propozon marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës;

-Administron pasuritë e paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi;

-Krijon regjistrin elektronik për pasuritë e paluajtshme të zonës bregdetare, formati i të cilit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin;

-Mirëmban dhe pastron  bregun e detit. Pastrimi dhe mirëmbajtja realizohet nga vetë Agjencia ose me subjekte privatë të kontraktuar nga Agjencia. Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregut të detit nga subjektet private/publike nuk i nënshtrohet ligjit për prokurimin publik. Rregullat për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregut detar si dhe procedura e përzgjedhjes së subjekteve privat/publike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

-Jep me qira sipërfaqe të caktuara të bregut të detit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme përfshirë aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det. Kriteret, procedurat dhe masa e dhënies me qera përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave;

-Miraton kryerjen e aktiviteteve në bregun e detit dhe aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det si dhe kryen planifikimin e aktiviteteve/veprimtarive në bregun e detit si dhe përcakton kushtet dhe kriteret për ushtrimit e tyre;

-Jep paraprakisht mendimin e saj për lejet zhvillimore dhe lejet e përdorimit në zonën bregdetare, me përjashtim të bregut të detit, nëpërmjet verifikimit të kritereve të menaxhimit të zonës bregdetare, përpara miratimit përfundimtar nga ana e organit kompetent për lëshimin e tyre, përcaktuar sipas legjislacionit për planifikimin e territorit.

-Harton planin e menaxhimit të bregut të detit, i cila përmban planin e detajuar të veprimtarive në bregun e detit, në zonat për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar si dhe tarifat për ushtrimin e tyre, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

Detyrat dhe përgjegjësit e Agjencisë

-Agjencia, në funksion të veprimtarisë së saj, kryen të gjitha veprimet dhe ndërmerr të gjitha nismat e nevojshme në mbështetje të planifikimit dhe menaxhimit të integruar të territorit dhe të veprimtarive që zhvillohen në zonën bregdetare, duke informuar, bashkëpunuar dhe ndihmuar organet shtetërore, subjektet private dhe personat e interesuar dhe ka këto përgjegjësi dhe detyra:

-Kryen inventarizimin e territorit të zonës bregdetare;

-Organizon, nxit dhe kontribuon në projektet, aktivitetet dhe veprimtaritë që kanë për qëllim mbrojtjen, administrimin dhe rritjen e cilësisë së vlerave të peisazhit, burimeve natyrore si dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë;

-Fton, nxit dhe bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtare apo vendas, për pjesëmarrjen dhe përfshirjen në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;

-Ofron shërbime të ndryshme, sipas përcaktimeve të këtij ligji kundrejt tarifave përkatëse, të cilat  përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

-Ushtron kontrollin e saj në zonën bregdetare, duke monitoruar respektimin e rregullave mbi përdorimin e pasurisë publike.

-Kontrollon respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet private/publike si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit.

-M err masa në rastet e shkeljeve të kritereve ligjore, dhe zbaton sanksionet e parashikuar nga ky ligj dhe nga legjislacioni shqiptar në fuqi, me qëllim shmangien e dëmtimit të zonës bregdetare./ Shqiptarja.com.

(Kliko këtu) Projektligji për bregdetin