Një 57-vjeçar është vënë nën hetim, pasi u kap në pikën kufitare të Kapshticës me 17.389 euro të padeklaruara.
Sipas, policisë, shtetasi me inicialet O.M., mbante shumën e parave në çantën e tij të dorës, sasi kjo e padeklaruar.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar vazhdojnë punën për procedimin penal ndaj 57-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll shtetasin O. M., në çantën personale së të cilit, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17.380 euro, sasi të cilën nuk e kishte deklaruar.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj shtetasit O. M., 57 vjeç, banues në Bishqem, Peqin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.