Masat e reja anti Covid/ Pasaporta e vaksinimit, kusht për të hyrë në Shqipëri

6 shtatori shënon datën e përcaktuar nga Komiteti i Ekspertëve, kur hyjnë në fuqi masat e reja anti Covid në Shqipëri.

  1. Qytetarët që duan të hyjnë në vendin tonë, nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
  2. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
  3. Të kenë Testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.