Gratë trime të Afganistanit, vazhdojnë protestat pavarësisht kërcënimeve nga talebanët

Gratë afgane vazhdojnë të protestojnë për të drejtat e tyre në Afganistan.

Këtë herë, protestat u mbajtën në qytetin verior, Mazar-e Sharif.

Një grup grash u mblodhën në qendër të qytetit Mazar-e Sharif, duke mbajtur pankarta ku lexoheshin parulla të tilla si “Shkelja e të drejtave të grave-shkelje e të drejtave të njeriut” dhe “Duam pjesëmarrje në të gjitha nivelet politike”,

Organizatorja e protestës, Shakourieh Rahimi i tha Radios Evropa e Lirë se militantët talibanë ndaluan gazetarët që përpiqeshin të mbulonin protestën dhe i rrahën disa prej tyre. Dëshmitarët thanë se talibanët fyen dhe kërcënuan pjesëmarrëset e protestës. Grupi militant nuk i ka komentuar informacionet.

Gratë afgane që kërkojnë barazi, drejtësi dhe demokraci kanë mbajtur protesta gjatë ditëve të kaluara edhe në kryeqytetin, Kabul, dhe qytetin perëndimor të Heratit.

Talebanët kanë thënë se të drejtat e grave do të respektohen në bazë të ligjit islamik -Sheriatit, por nuk kanë shtjelluar se çfarë do të thotë kjo në praktikë.

Pasi morën kontrollin e Afganistanit pas 20 vjetësh të prezencës së huaj ushtarake, talebanët tani janë nën vëzhgimin e udhëheqësve perëndimorë nëse kanë ndryshuar, përfshirë edhe mënyrën se si i trajtojnë vajzat dhe gratë.

Shumë vende dhe organizata kanë shprehur dyshime në lidhje me premtimet e talebanëve se kësaj rradhe do të sundojnë ndryshe.