Ish-anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli është shprehur se Kryesia dhe Grupi Parlamentar i PD-së duhet të marrin një vendim në lidhje me Sali Berishën nëse do të jetë apo jo pjesë e deputetëve të kësaj force politike, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga SHBA-ja.
Sipas Kadillit, në kushtet kur Basha nuk flet, partia ndodhet në kryqëzime të rrezikshme politike. Prandaj sipas tij lind nevoja që flasë partia çfarë qëndrimi ka për ish kryetarin.
“E ardhmja e PD-së nuk duhet të jetë “non grata”. PD duhet të ketë një qëndrim të qartë në raport me ish kreun e saj Sali Berisha. Nuk mund të presim vendime surprizë apo të minutës së fundit për një çështje që lidhet me fatin dhe të ardhmen e PD-së. As nuk mund të zvarritemi pa bërë asgjë.
Berisha e ka bërë të qartë që fatin e PD-së do ta mbaj lidhur me fatin e vet “non grata”. Basha nuk flet duke e lënë partinë në kryqëzime të rrezikshme politike.
Është momenti të flasë partia çfarë qëndrimi ka për ish kryetarin “non grata”. Kjo është detyrë e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar. Për secilin koleg, është nder të ulesh në karrigen e kryesisë dhe të deputetit, por së pari është përgjegjësi.
Keni në dorë të merrni një vendim historik. Luhet fati dhe e ardhmja e Partisë Demokratike që nuk duhet të jetë ‘non grata’”, shkruan Kadilli.
Jo pak zëra në PD kanë kërkuar distancim të partisë nga Berisha, mes të cilëve edhe sekretarja e re e PD për ish të përndjekurit polikë, Jonila Godole.