Nesër hyjnë në fuqi kushtet në kufi/ Nëse nuk plotësoni asnjërën, 10 ditë karantinë

Ditën e nesërme hyjnë në fuqi rregullat e reja anticovid në vendin tonë për të gjithë personat që do futen në Shqipëri.

Komiteti Teknik i Ekspertëve më 30 gusht vendosi kushte për qytetarët që duan të futen në Shqipëri.

Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.

Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Ashpërsimi i masave anti-COVID erdhi për shkak të rritjes së rasteve të infeksionit në vend.

Kujtojmë se në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 3 viktima dhe 896 raste të reja me COVID.