Tentativa e bujshme e arratisjes nga burgu 313/ Ja si zbret me litar Fatmir Pjetri ose ‘Babagjyshi’ dhe përballet me policinë

Ky është momenti kur i burgosuri Fatmir Pjetri ka tentuar 1 muaj më parë të arratiset nga burgu 313, në Tiranë.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka siguruar pamjet kur Pjetri zbret me një litar çarçafësh dhe më pas në shkallë përballet me policinë. Kujtojmë se në këtë arratisje u përfshinë edhe i dënuari për drogë Arbër Çekaj dhe Lulzim Çepele.

3 të dënuarit dolën më 11 gusht para gjykatës së Tiranës, e cila konfirmoi izolimin për 90 ditë pas tentativës së dështuar të arratisjes.  Prokuroria kërkoi t’i caktohet masa shtesë arresti në kuadër të procedimit tentativë arratisje e goditje për shkak të detyrës, ndërkohë që ka njoftuar se po heton po kryen hetime edhe për nëse ka ndonjë prej policëve të burgjeve që mund të ketë bashkëpunuar.

Arbër Çekaj ka mohuar planin e arratisjes, duke u shprehur se ka dalë jashtë vetëm për ajrosje. Përmes një letre dërguar mediave, avokatja mbrojtëse e Arbër Çekajt, ka hequr të gjithë përgjegjësinë e klientit të saj nga plani i arratisjes nga burgu. Ajo ka akuzuar Fatmir Pjetrin si organizuar të arratisjes. Ndërsa Lulzim Çepele ka thënë para gjykatës se nuk ia kishte idenë se ç’po ndodhte me arratisjen dhe se ai ka tentuar vetëvrasjen për shkak të presionit.

Një skemë arratisjeje e mirëorganizuar u tentua që të vihet në zbatim nga tre të burgosur në qelitë e institucionit të vuajtjes së dënimit “Jordan Misja” (313) në kryeqytet pak ditë më parë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve, plani ka nisur të vihet në zbatim me tentativën e të Çepeles për të prerë damarët, për të tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e stafit të burgut 313. Në momentin kur forcat e sigurisë janë angazhuar për ta shoqëruar në spital, ka hyrë në veprim Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të cilët kanë tentuar të arratisen gjatë orarit të ajrimit. Pikërisht në ato momente ata janë pikasur punonjësit e policisë së burgut, të cilët kanë marrë masat për kapjen dhe neutralizimin e tyre. Gjatë tentativës për të dalë, dy të burgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore.

Të dënuarit do të largoheshin me litar të improvizuar duke lidhur çarçafët me njëri-tjetrin. Sipas drejtorisë së burgjeve, të burgosurit do të përballen me akuzën e tentativës për arratisje “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” si dhe goditje për shkak të detyrës.  Pas kësaj ngjarjeje instancat drejtuese të burgjeve kanë urdhëruar rivlerësimin e masave të sigurisë si dhe marrjen e masave administrative për rritjen e gadishmërisë në të gjitha institucionet penitenciare.

Kujtojmë se Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit ka lënë në fuqi dënimin me 14 vite burg për Arbër Çekajn, pronari i kontejnerit me banane e kapur me 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Arben Çekaj u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 14 vite burg. Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e konteinerit me banane.

Kurse Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’ të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku të maskuar si babagjyshë pjesëtarët e grupit kriminal realizuan grabitjet. Fatmir Pjetri pas arrestimit në Holandë në 24 nëntor të 2017 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.