Organizata Botërore e Shëndetësisë ka caktuar një lloj të ri të Covid 9 si “variant shqetësues”.
Agjencia globale e shëndetit njoftoi në buletinin e saj javor të martën se Mu, i njohur gjithashtu me emërtimin e tij shkencor B.1.621, është zbuluar në Amerikën e Jugut dhe Evropë që kur u identifikua për herë të parë në Kolumbi në janar.
OBSH-ja tha se varianti Mu ka disa karakteristika që e bëjnë atë më rezistent ndaj vaksinave, por tha se duheshin kryer më shumë studime për të kuptuar plotësisht se si funksionon ky variant.
Varianti Mu është i pesti i caktuar nga OBSH-ja si një variant shqetësues. Katër variante të tjera janë përcaktuar si “variante shqetësuese”, përfshirë alfa, i cili është zbuluar në 193 vende, dhe delta më ngjitës, i cili është i pranishëm në 170 vende dhe është shkaktar i rritjes aktuale të infeksioneve të reja në të gjithë botën.
Shkencëtarët në Afrikën e Jugut njoftuan në fillim të kësaj jave se kanë zbuluar një variant të ri Covid 19 me emërtimin C.1.2. Varianti është përhapur në të gjithë Afrikën, Azinë, Evropën dhe rajonin jugor të Paqësorit në Oqeani që kur u pa për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj.
Varianti nuk është identifikuar nga OBSH-ja si variant shqetësues.
Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr Rochelle Walensky, u bëri thirrje të martën amerikanëve që nuk kanë marrë një vaksinë COVID-19 të shmangin udhëtimet gjatë fundjavës së ardhshme kur festohet Dita e Punës për shkak të një rritje të infeksioneve të reja dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti delta. Shtetet e Bashkuara kanë mesatarisht mbi 100,000 raste të reja të Covid 19 në ditë, me shtete si Florida, Misisipi dhe Washingtoni që raportojnë nivele rekord të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital.
Ndërkohë, dy zyrtarë kryesorë në zyrën e Shqyrtimit të Vaksinave të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave do të lënë postet e tyre në javët e ardhshme. Dr Marion Gruber, drejtori i divizionit, do të dalë në pension në tetor, ndërsa zëvendësi i saj, Dr. Philip Krause, do të largohet në nëntor. Largimet e tyre vijnë në një kohë vendimtare për FDA, e cila po i afrohet një vendimi të rëndësishëm, nëse do të rekomandojë vaksinat Covid 19 për fëmijët nën 12 vjeç dhe injeksione përforcuese të vaksinave aktuale të miratuara tashmë për amerikanët e rritur.