Sekretarja e re e PD-së, Jonila Godole i ka bërë thirrje partisë të distancohet nga Sali Berisha.
Sapo u votua nga demokratët si sekretare për ish të Përndjekurit Politik, Jonila Godole në deklaratën e parë ka kërkuar distancimin e PD-së nga Berisha dhe largimin e tij nga PD. Në një intervistë, Godole tha se kontributi i personaliteteve duhet të njihet dhe respektohet në parti, por në rastet kur duhen distancuar duhet ta bëjnë duke përmendur shembullin e CDU nga ish-kancelari gjerman Helmut Kohl. E pyetur konkretisht për largimin e Berishës, Godole tha se edhe ai duhet të largohet dhe se PD duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet.
E pyetur nëse është pjesë e demokratizimit të partisë edhe vendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha për të qenë në parlament, ndonëse është shpallur ‘non grata’ nga SHBA, Godole deklaroi se “vendimi i zotit Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund. Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur. Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet. Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e saj”, tha ajo.
Kjo situatë ka bërë që Alfred Rushaj, i zgjedhur si kreu i grupit parlamentar të PD-së, të vendosa si rregull për të gjithë demokratët e zgjedhur në postet drejtuese që të mos japin më prononcime dhe intervista pa u koordinuar më parë me linjën politike të partisë.