Një vajzë 15-vjeçare nga Tetova ka vdekur në Klinikën Infektive në Shkup, për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, konfirmuan autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tyre, vajza u soll në gjendje shumë të rëndë nga spitali i Tetovës, ku u trajtua për dy ditë.
Sipas raportit mjekësor, pacientja nuk ishte e vaksinuar.
“Bëhet fjalë për një paciente, e cila nuk ishte vaksinuar dhe për të cilen nuk kemi detaje nga të dhënat që kemi marrë nga babai i saj, nëse ajo vuante nga sëmundje të tjera kronike. Por, është një vajzë që kishte mbipeshë, gjë që bart rrezikun e sëmundjeve të komplikuara dhe të rënda”, tha Millena Stevanoviq, drejtore e Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup.
Kjo është viktima më e re që ka humbur jetën nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, raporton Radio Evropa e Lirë
Të mërkurën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë vend, janë regjistruar gjithsej 26 viktima dhe 905 të infektuar me koronavirus.
Rastet e reja rezultuan pas testimit të 4,982 mostrave.
Viktimat janë: tetë në Shkup, gjashtë në Tetovë, tri në Strugë, nga dy në Gostivar dhe Kërçovë dhe nga një në Prilep, Ohër, Vinicë, Dibër dhe Kratovë.
5,954 qytetarë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut.