Edison Begaj u qëllua me 4 plumba, sapo doli nga makina e tij, ku ndodheshin dhe fëmijët, mbrëmjen e 29 majit në Kaninë të Vlorës.
Autori mbante veshur kostum policia, teksa priste shënjestrën, para shtëpisë së tij. Ai është identifikuar si Mitri Prifti, 36 vjeç, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Prifti po kërkohet nga policia.
Me gjithë 4 plumbat e marrë, 41-vjeçari arriti t’i shpëtojë për mrekulli atentatit.
Nuk dihet shkaku i plagosjes së tij, por pista kryesore mbetet trafiku i drogës, për të cilin Begaj është dënuar më parë.
Njoftimi i policisë:
Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.05.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Kaninë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E. B.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit:
•Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.