Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha sot se të gjithë diplomatët amerikanë janë larguar nga Kabuli dhe se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluan praninë e saj diplomatike në Afganistan.
Deklarata e Blinken u bë disa orë pasi ushtria amerikanë njoftoi se ka përfunduar procesin e tërheqjes nga Afganistani, pas 20 vjetësh të prezencës së saj në këtë vend.
Tani, Shtetet e Bashkuara e kanë zhvendosur praninë e saj diplomatike nga Kabuli në Doha të Katarit, ku talibanët e kanë një zyrë politike.
“Ka filluar një kapitull i ri i angazhimit të Amerikës me Afganistanin”, tha Blinken më 30 gusht.
“Misioni ushtarak ka përfunduar, një mision i ri diplomatik ka filluar”, shtoi ai.
Që nga 14 gushti, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evakuuan më shumë se 122,000 njerëz nga Kabuli.
Blinken tha se Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët, do të vazhdojnë përpjekjen për të ndihmuar amerikanët, shtetasit e huaj dhe afganët në rrezik të largohen përmes transportit rrugor ose atij ajror sapo të hapet aeroporti i Kabulit.
Sipas tij, në Afganistan janë më pak se 200 qytetarë amerikanë.
Blinken tha se talibanët do të duhet të plotësojnë premtimet e tyre se do të respektojnë lirinë e udhëtimit, të mos hakmerren, pastaj të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të grave dhe të mos lejojnë që vendi të bëhet një bazë për terrorizmin ndërkombëtar.