Kosova pranon 55 automjete të blinduara ushtarake nga SHBA-ja

Kosova ka pranuar 55 automjete të blinduara ushtarake, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë krerë të  të vendit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së Kosovës.

“Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës“, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se SHBA-ja së bashku me shtetet e tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mbështetja me automjetet e blinduara nga SHBA-ja për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas kryeministrit Kurti, është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitetet operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndërveprueshme me NATO-n dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë“, shtoi kryeministri Kurti.