111 shtetas afganë mbërritën mbrëmjen e sotme në Aeroportin e Prishtinës.
Ata do strehohen përkohësisht në Kosovë, pasi u evakuuan nga Afganistani, tashmë pushtuar nga telabanët.
Refugjatët u pritën nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Osmani tha se Kosova po qëndron pranë partnerëve në strehimin e qytetarëve që kanë ikur nga Afganistani.
Afganët që mbërritën në Kosovë përmes Aeroportit “Adem Jashari” janë gra, fëmijë e pleq, familjarë te bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan.
Qeveria e Kosovës ka thënë se do të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.