Jo të gjithë kandidatët për asambletë komunale dhe ata për kryetar komunash që duan të garojnë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të mund të jenë pjesë e listës zyrtare të garës zgjedhore, raporton VOA.
Kjo për faktin se të paktën 160 kandidatë, nga 30 subjekte politike kanë probleme me ligjin. Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shpjegon situatën aktuale me kandidatët që nuk meritojnë kandidimin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përgjigjet nga institucionet e ndryshme përgjegjëse për ligjin, lidhur me përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për Zgjedhjet e Përgjithshme, thotë Valmir Elezi. “Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kandidatë, të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, thotë Valmir Elezi.
Elezi sqaron, se bëhet fjalë për 160 kandidatë që kanë kandiduar për kryetar komune apo për Kuvende Komunale dhe që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit. “Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për kryetar komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit”, tha Valmir Elezi.
Sipas tij, partitë politike e kanë mundësinë që të bëjnë zëvendësimin e kandidatëve. “Sipas planifikimeve me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati. KQZ-ja do të marrë vendimet për certifikim, më së largu deri më 1 shtator. Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme”, tha zëdhënësi Valmir Elezi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mekanizmat përcjellës të zgjedhjeve, kanë kohë verifikimi edhe disa ditë në mënyrë që me datën 08.09, të hidhet shorti për renditjen e partive politike për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.