Banka Botërore ndërpret financimet për Afganistanin

Banka Botërore ndaloi financimin e projekteve në Afganistan, pasi vendi është nën kontrollin e talebanëve.

Banka Botërore shprehu shqetësimin për mënyrën si do të ndikojë kontrolli i talebanëve në “perspektivat e zhvillimit të vendit, veçanërisht për gratë”.

Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar pezulloi gjithashtu pagesat për Afganistanin.

Që nga viti 2002, Banka Botërore ka ndarë mbi 5.3 miliardë dollarë për projektet e rindërtimit dhe zhvillimit në Afganistan.

“Ne kemi ndalur pagesat tona në Afganistan dhe jemi duke monitoruar dhe vlerësuar nga afër situatën, në përputhje me politikat dhe procedurat tona të brendshme”, tha një zëdhënës i Bankës Botërore për BBC-në.

Javën e kaluar, edhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se ka ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit që mbahen në SHBA.