Alarm për sulm terrorist në aeroportin e Kabulit! SHBA thirrje: Largohuni!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Australia u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga aeroporti i Kabulit, pas alarmit  të ngritur se një sulm terrorist do të “shpërthejë” në shtetin islam.

Australia gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të largohen nga ajo zonë, duke paralajmëruar për një kërcënim shumë të lartë të një sulmi terrorist në aeroport.

Ahmedullah Rafiqzai, një zyrtar i aviacionit civil afgan që punonte në aeroport, tha se njerëzit pavarësisht paralajmërimeve të një sulmi të mundshëm vazhduan të grumbulloheshin rreth portave të aeroportit.

Ai shtoi se njerëzit nga dëshira e madhe për të lënë vendin e tyre nuk kanë frikë të përballen edhe me vdekjen.

“Është shumë e lehtë që një kamikaz të sulmojë korridoret e mbushura me njerëz dhe paralajmërimet janë dhënë në mënyrë të përsëritur. Por njerëzit nuk duan të lëvizin, është vendosmëria e tyre për të lënë këtë vend duke mos pasur as frikë të përballen edhe me vdekjen”, tha ai për Reuters.

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg duke lidhur me situatën në aeroportin e Kabulit, një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden zgjodhi t’i përmbahet planit të tij për të tërhequr forcat amerikane deri në fund të muajit, u shpreh se paralajmërimi për një sulm terrorist të mundshëm nuk është “teorik” po “një kërcënim real”.

“Nga njëra anë, ne do të donim të kishim sa më shumë kohë që të jetë e mundur për të nxjerrë sa më shumë njerëz, por nga ana tjetër nëse nuk do të kemi vendosur një marrëveshje të re me talebanët, për të zgjatur evakumin rreziku i sulmeve do të rritej”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 70 mijë njerëz, përfshirë edhe qytetarët e tyre, personelin e NATO-s dhe afganët në rrezik.