Shqipëria do të presë rreth 4000 afganë, konfirmoi kryeministri i vendit, Edi Rama, në një intervistë për CNN.
Rama ishte i ftuar sot në “Amanpour Show”, drejtuar nga gazetarja Bianna Golodryga.
I pyetur nëse afganët që do të strehohen në vendin tonë, mund të qëndrojnë gjithnjë këtu, kryeministri u përgjigj se “është në dorën e tyre, nëse e duan diçka të tillë”.
Ndër të tjera, kryeministri kritikoi vendet e NATO-s, që nuk po pranojë refugjatë afganë, të cilët kërkojnë dëshpërimisht të largohen nga pushtimi taleban.
“Dua të përsëris atë që kam thënë disa herë, ka të bëjë me atë që ne jemi, me të qenit anëtare e NATO-s dhe përmbushjen e përgjegjësive. Kemi bërë përpara sepse kjo është historia jonë. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka pasur hebrenj. Është kështu sepse në fund të fundit i detyrohemi fëmijëve tanë.
Kjo është koha për të menduar për ata që gjenden midis jetës dhe vdekjes. Shqipëria nuk është nga vendet e pasura, por kemi në kujtesë dhe besojmë që është në nderin e anëtarëve të NATO-s dhe të gjithë kësaj bashkësie vendesh që mbrojnë vlerat që ne qëndrojmë, në të kundërt rrezikon që NATO të zbehet në sytë e botës që kërkojnë liri, trajtim të barabartë për gratë dhe jo vetëm NATO-ja por edhe kjo pjesë e jona e botës bazohet në këto parime.
Është shumë e qartë, jemi sfiduar në një mënyrë të tillë si nuk jemi sfiduar më parë. Jo nga një kundërshtar apo nga një forcë kundër nesh, por nga vetja jonë, sfidohemi ose të qëndrojmë për atë çka i themi botës që jemi. Ky është një objektiv i madh që nuk mund të dështojmë.
Jemi vend i vogël por nuk ka rëndësi s’ka të bëjë me madhësinë, me pasurinë, me forcën por ka të bëjë me atë çka ne jemi. Ne kemi përjetuar luftën, kemi parë 500 mijë refugjatë lufte që lëvizin nga Kosova në tokën tonë. Ne ishim në gjendje financiare të vështirë sa ç’jemi sot, pritja e 500 mijë njerëzve në një popull me tre milionë banorë nuk na bëri të vdisnim urie, por më të pasur moralisht.
Ne ishim të parët që dolëm e thamë se jemi të gatshëm të presim njerëzit që kanë punuar me ne. Për momentin po punojmë ngushtë me një sërë organizatash amerikane për listat që po na sjellin dhe ndërkohë që flasim mund të numërojmë rreth 2000 të listuar dhe 2000 të tjerë për të cilët po punojmë për t’i mirpritur. Do të ketë rreth 4000″, tha Rama.