Ekzekutimi i Bledar Muçës/ Viktima dhëndër i Roland Shytit, pjesë e bandës famëkeqe të Lushnjës

Qyteti i Lushnjës u trondit mbrëmjen e djeshme nga ekzekutimi i Bledar Muçës menaxher i një lokali, babai i dy fëmijëve.

Bledar Muça u ekzekutua duke pirë kafe me kunatin në lokalin e tij bar ‘Pedonale’.

Të hënën në mbrëmje shoqërohej nga kunati i tij Judmir Velo, vëllai i gruas. Tetë gëzhoja kallashnikovi gjetën hetuesit në 2 metra katror sipërfaqe.

Muça u qëllua egërsisht nga një distancë e afërt prej 3 m. Autori që dëshmitarët e tregojnë, një i ri i pamaskuar, trup lidhur, zbriti nga makina tip “Golfi 5” ngjyrë blu me targa italiane, i vjedhur në Vlorë.

Shoferi qëndroi në timon, derisa atentatori qëlloi me kallashnikov më shumë se 20 herë mbi njeriun që njihej si dhëndri i Roland Shytit, “ Mustaqe kuqit”, anëtar i bandës famëkaqe të Lushnjës, ‘Hakmarrja për Drejtësi”.

U plagos rëndë Judmir Velo 32 vjeç, nipi i Roland Shytit që ishte në rrezen e plumbave, por shpëtoi nga vdekja sepse u shtri  shpejt barkas në tokë.

Ervis Tafa, Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeç dhe nëna e njërës vajzë, Majlinda Gjyli u plagosën gjithashtu. 

Gratë ishin ulur në një tavolinë po tek ky lokal, kurse Tafa me shokët e përbashkët të viktimës, afër tavolinës.

Shpërndarja e plumbave ka ndodhur në një perimetër të gjerë dhe ka dëshmi që tregojnë se edhe dy persona të tjerë u dëmtuan lehtë por nuk u paraqitën në spital.

Mjekët thanë se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Rreth 18 kilometra larg nga qyteti i Lushnjës, në fshatin Thanasaj poshtë një ure, u gjet e djegur makina që dyshohet se u përdor nga autorët për vrasjen e 34-vjecarit bashkë me kallashnikovin.

Punët  e drogës kanë ngritur dyshimet më të mëdha rreth shkakut të vrasjes.

Në kohë të ndryshme ka patur denoncime për festa me drogë në lokal, por policia në nuk ka ekspozuar apo goditur një rast të tillë në “Bar Pedonale”.

Hasmëritë e vjetra për lidhjet familjare të viktimës me anëtarin e “Hakmarrja për Drejtësi” cilësuar si organizata kriminale më e madhe në vend në vitet 1992-1996 janë po ashtu pistë hetimi për ngjarjen e rëndë.