32 qytetarë kanë humbur jetë gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, pas infektimit me Covid 19.
Kjo është dita më tragjike në 6 muajt e fundit në vend, përsa i përket situatës së pandemisë të shkaktuar nga koronavirusi.
8 viktima janë shënuar në Shkup, nga gjashtë në Gostivar dhe Tetovë, tre në Kumanovë, dy në Kërçovë dhe nga një në shtatë qytete tjera.
1210 persona janë konfirmuar pozitivë me Covid, nga 7.084 testime të kryera.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve aktive me Covid 19 ka shkuar në 11.769 persona.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen që mbajti të martën pasdite miratoi ndryshimet në masat për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, të cilat lejojnë organizimin dhe mbajtjen e garave sportive me praninë e publikut, ngjarjet kulturore, punën e restoranteve, kafeneve, bastoreve, koncertet, seminaret, punëtori dhe ngjarje të tjera brenda hapësirave të brendshme me 30 për qind të kapacitetit dhe në hapësira të jashtme deri në 50 për qind, në përputhje me protokollet dhe masat për mbrojtjen nga Covid 19.
Sipas vendimit, në këto ngjarje nuk do të mund të marrë pjesë asnjë qytetar pa certifikatë për vaksinimin me të paktën dozën e parë ose certifikatës për kalimin e sëmundjes jo më të vjetër se 45 ditë nga dita e shërimit.
Mbeten në fuqi ndalimi i mbajtjes së dasmave dhe festimeve të tjera private në pjesët e mbyllura të objekteve të hotelerisë.
Sipas vendimit të qeverisë, nga 1 shtatori 2021, shtetasit maqedonasë dhe të huaj do të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vetëm nëse kanë certifikatë vaksinimi, nëse kanë vërtetim se kanë kaluar sëmundjen apo nëse kanë vërtetim për testin PCR- jo më të vjetër se 72 orë.