Po kalonte kufirin me 25 mijë euro të padeklaruara me vete, nis hetimi ndaj 35-vjeçarit

Një 35-vjeçar është kapur në pikën kufitare të Kapshticës, me 24.980 euro të padeklaruara.

Paratë janë gjetur në mjetin tip “Opel”, me të cilin shtetasi me iniciale F.R. po udhëtonte.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar nisën hetimin nga 35-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Sekuestrohen 24.980 euro të padeklaruara.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin F. R., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 24.980 euro, sasi të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar.

Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj 35-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.