Maja e Rrunës nën pushtetin e flakëve prej shumë ditësh/ Vatra aktive në zonat malore

“Laku i Thive” në Kukës vazhon të jetë nën pushtetin e flakëve.

Vatra paraqitet problematike në Majën e Zezë. Në terren po punojnë rreth 50 trupa nga Forcat e Armatosura, zjarrfikësit dhe punonjësit e shërbimit pyjor, si dhe një helikopter holandez.

Në Malësinë e Madhe, vijon vatra e zjarrit në fshatin Vorfë. Ministria e Mbrojtjes njofton se zjarri është larguar në drejtim të malit Maranajt në një sipërfaqe me pyje dhe shkurre. Terreni është shumë i thyer dhe i vështirë për ndërhyrje nga toka dhe në një distancë rreth 4 orë në këmbë. Për te vatra e zjarrit janë nisur vrojtues nga Shërbimi Pyjor. Rreziku nga stanet është larguar nga ndërhyrja e banorëve të zonës. Situata po monitorohet.

Në Qershizë e Fushë Kumulli të Pukës vatrat janë nën kontroll. Ministria e Mbrojtjes njofton se po punojnë rreth 50 trupa nga FA, zjarrfikës dhe punonjës të shërbimit pyjor.

Edhe në fshatin Flet të Fushë Arrëzës, situata është e qetë, perimetri i zonës së djegur po monitorohet dhe mbahet nën kontroll nga punonjësit e njësisë administrative Blerim dhe shërbimit pyjor.

Në fshatin Srriqe, njësia administrative Qafë Mali, zjarri u vu nën kontroll nga helikopteri holandez dhe nuk ka problem për banesat.

Në fshatin Morinë, zona Korab – Koritnik zjarri është izoluar plotësisht. Po mbahet nën  monitorim nga punonjës të AdZM Kukës.

Vatrat e zjarrit në fshatin Katund të Vjetër e Thirrë të bashkisë Mirditë janë nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për banesat.

Vatra e zjarrit në fshatin Kaçni të Dibrës është izoluar plotësisht. Zjarri vazhdon djegie të ngadaltë brenda perimetrit të përshkuar dhe monitorohet nga punonjës të njësisë administrative, shkruan MB.