Situata në aeroportin e Kabulit/ Turma të mëdha presin që të largohen

Turma më të mëdha janë raportuar në portat e aeroportit të Kabulit sot. SHBA paralajmëron shtetasit e saj që të shmangin udhëtimet në aeroport për shkak të “kërcënimeve të mundshme të sigurisë”, sipas BBC.

SHBA nuk është vendi i vetëm që ngre shqetësime për situatën jashtë. Ministria e Jashtme e Zvicrës tha se situata rreth aeroportit ishte “përkeqësuar ndjeshëm në orët e fundit”, me një numër të madh njerëzish jashtë, duke shtuar se ajo ka ndaluar fluturimet zvicerane të planifikuara për t’u larguar nga Kabuli sot.

Qeveria gjermane, ndërkohë, ka paralajmëruar se “situata e sigurisë në aeroport është ende jashtëzakonisht e rrezikshme dhe hyrja në aeroport shpesh nuk është e mundur”.

Detajet e sakta të asaj që po ndodh në aeroport mbeten të paqarta.

Por korrespondenti kryesor i “Sky News”,  Stuart Ramsay i përshkroi ngjarjet në aeroport si “dita më e keqe deri më tani”.