Serë me kanabis në Kashar, arrestohen babë e bir

Një banesë e përshatur për kultivimin e lëndëve narkotike është zbuluar në zonën e Kasharit.

56-vjeçari Fatmir Sulaj dhe 25-vjeçari Hamdi Sulaj u arrestuan sot në Tiranë, pasi dyshohet se kultivonin drogë në shtëpi.

Policia njofton se ka gjetur bimë kanabis sativa në serën bujqësore, që ata kishin ndërtuar pranë shtëpisë. Ndërkohë, janë sekuestruar dy armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat dyshoheshin se përdoreshin nga autorët për të ruajtur bimën narkotike.

Njoftimi i policisë:

Komisariati i Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe armëmbajtjes pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “KASHARI”, si rezultat i të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Fatmir Sulaj., 56 vjeç dhe Hamdi Sulaj., 25 vjeç.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në Kashar, në brendësi të banesës, gjatë kontrollit të ushtruar,në një serë bujqësore, u konstatuan të mbjella bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat dyshoheshin se përdoreshin nga autorët për të ruajtur bimën narkotike.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë, për veprat penale “Kultivim i bimeve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim.