Qyteti Studenti do hapet për afganët/ Të gjitha godinat në dispozicion të qëndrimit të përkohshëm

Qyteti Studenti duket se do të shërbejë si një nga vendqëndrimet për një pjesë të madhe të afganëve që do të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës po zhvillon përgatitjet e nevojshme për të kthyer në funksion të strehimit të tyre një pjesë të godinave të Qytetit Studenti.

Godinat ku do të strehohen afganët me familjarët e tyre mësohet se janë godina numër 2, 4 , godina 7-8 si dhe godina 24-25, sipas Top Channel.

Këto godina janë zbrazur tashmë nga studentët që po qëndronin aktualisht në këto ndërtesa dhe po bëhen funksionale për strehimin e të huajve.

Qëndrimi i afganëve në vendin tonë do të jetë i përkohshëm deri në pajisjen e tyre me vizë amerikane dhe më pas do të lëvizin në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të jetë edhe destinacioni final i tyre.

Ende autoritetet nuk kanë dhënë një shifër të saktë se sa është numri i personave që do të mbërrijnë në vend, megjithatë flitet për një shifër në rreth 2 mijë afganë.

Veç Qytetit Studenti, një tjetër skenar përfshin edhe strehimin e një pjesë të tyre në disa hotele në qytetin bregdetar të Durrësit, edhe pse kapacitetet e strukturave akomoduese janë më të kufizuara për shkak të fluksit të turistëve.